Situata në Kinë për shkak të koronavirusit është dramatike. Ambasadori i Shqipërisë në Pekin, Selim Belortaja, thotë se për shkak të rrezikut të madh, autoritetet atje po zbatojnë masa super të rrepta për frenimin e epidemisë.
Prandaj në një postim në rrjetet sociale, Belortaja i bën thirrje shqiptarëve që udhëtimet drejt Kinës të shtyhen për më vonë derisa situata të merret plotësisht nën kontroll.
Ndër të tjera, ambasadori jonë atje shprehet se autoritetet kanë mbyllur transportet dhe ushtrojnë superkontrolle ndaj lëvizjes së njerëzve. Gjithashtu, ai thotë se janë anuluar festimet, grumbullimet si dhe disa shërbime në publike në disa qytete
“Të dashur miq e bashkëkombas kudo ku jeni. Siç e dini Kina po kalon një situatë dramatike. Koronavirusi jo vetëm po merr jetë njerëzish, por për shkak të potencialit të një rreziku në përmasa që mund të imagjinohen, po shtrëngon autoritetet të zbatojnë masa super të rrepta për frenimin e epidemisë, si mbyllje e transportit, superkontroll i lëvizjes se njerëzve, anulim i festimeve e grumbullimeve, si dhe disa shërbimeve publike në disa qytete, tashmë edhe përtej provincës Hubei dhe kryeqendrës Wuhan ku virusi shpërtheu dhe beteja është përqendruar. Numri faktik i vdekjeve nuk e shfaq mirë potencialin e rrezikut që është pranuar edhe nga OBSH dhe që potencialisht mund të agravojë në ditët në vijim. Autoritetet dhe mjekësia këtu po punojnë heroikisht. Këshilloj fort që, derisa situata të merret plotësisht nën kontroll, udhëtimet dhe kontaktet fizike me Kinën t’i shtyni për më vonë! Ju lutem informohuni sa më mirë e binduni vetë para se ti hyni një situate me shumë rrezik nga virusi, por edhe të papritur për shkak të kontrolleve të pazakonshme”, shkruan Belortaja.