Edhe pse e gjithë vëmendja është fokusuar në zbatimin e masave të rrepta kundër koronavirusit, janë shfaqur raste të vjedhjeve të banesave. Kështu, në Berat policia ka organizuar një aksion për kapjen e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, u organizua aksioni “Uznova” dhe u arrestuan 37-vjeçari A.Gj., 29-vjeçari A.Sh., 23-vjeçari R.A., si dhe u procedua në gjendje të lirë 17-vjeçari me iniciale E.K.
Policia thotë se A.GJ. dhe A.SH. kanë qenë më parë të dënuar për vjedhje. Në banesën e 37-vjeçarit me iniciale A.GJ. u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri automatike dhe 860 fishekë luftarakë. Ky i fundit ishte gjithashtu në kërkim policor pasi kishte goditur me mjete të forta shtetasin L. Z., 33 vjeç.
Kurse 23-vjeçari me iniciale R.A. dhe adoleshenti E.K., të dënuar më parë për dhunë në familje dhe vjedhje, kanë vjedhur orendi shtëpiake në banesën e shtetasit S. S., të cilat janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Po këta dy persona janë edhe autorët e vjedhjes së 10.000 Lekëve të reja, të cilat i kanë vjedhur në fugonin në pronësi të shtetasit E. A., në lagjen “30 Vjetori”.