Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre, reagoi të martën ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili tha se futja e Nismës në Kuvend është lojë për të dëmtuar Albin Kurtin..
Osmani tha se jo rastësisht Aleksandar Vuçiqi ishte ministër i Propagandës në kohën e Millosheviçit dhe se pikërisht këtë propagandë pra, e bën më së miri.
Postimi i Osmanit në Facebook:
Jo rastësisht Aleksandar Vucic ishte ministër i propagandës në kohën e Milloshevicit. Pikërisht këtë, propagandën pra, e bënë më së miri. Kështu, për fat të keq, ka arritur të mashtrojë disa diplomatë anekënd botës, të cilët i besojnë lotëve të tij të krokodilit dhe aktrimit të tij dramatik sa herë flitet për Kosovën. Por, askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të Vucicit.
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ndërtuar dhe ka insistuar për parimin në bazë të të cilit kushdo që i fiton zgjedhjet edhe e propozon Kryeministrin. LDK nuk i punon askujt pas shpine e aq më pak nëpërmjet lojërave që janë produkt i mendjeve konspiracioniste siç është ajo e Vucicit. Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë. Vucic dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojnë duarthatë.