Gjatë një mbledhjeje komemorative të mbajtur në Prishtinë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë urdhrin “Heroi i Kosovës”, për policin Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator nga terroristët serbë në veri të vendit.
Urdhëri në nderim të policit të vrarë iu dha familjarëve të cilët ishin të pranishëm në ceremoni.
Në fjalën e saj, presidentja deklaroi se urdhri i Heroit të Kosovës, i jepet rreshterit Afrim Bunjaku për rënien heroike në mbrojtje të vendit.
“Në emër të qytetarëve i ndaj urdhrin “Heroi i Kosovës”, rreshterit Afrim Bunjaku. Ai ka rënë heroikisht në mbrojtje të vendit”, deklaroi presidentja.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij e ka vlerësuar lartë kontributin e rreshterit Afrimi Bunjaku, duke thënë se sulmet kanë ardhur nga një grup personash të armatosur rëndë që janë trajnuar profesionalisht dhe me plan.
“Me veprimet profesionale dhe të guximshme të Policisë, dje e pamundësuam një skenar ë të gjerë kriminal e terrorist. Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj vetë shtetit tonë nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan, të financuar materialisht dhe të mbështetur nga Serbia.
Reagimi profesional i Policisë sonë rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit të tyre, si dhe konfiskimin e gjithë armatimeve dhe mjeteve të tjera logjistike”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se sot është dita kur duhet t’i bëhen nderimet më të larta shtetërore policit Afrim Bunjaku.
“Faktet dolën sheshazi përball nesh, në sy tanë dhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe në sytë e secilit që ka kurajo dhe vullnet për të parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë”.
Në mbledhjen komemorative morën pjesë krerët më të lartë shtetëror të Kosovës, ambasadorët e vendeve partnere si dhe qytetarë.
Polici Vbunjaku u vra gjatë një sulmi të organizuar nga grupet terroriste serbe në Zveçan. Policia mundi të arrestonte 6 nga sulmuesit, ndërkohë që 3 të tjerë u vranë gjatë rezistencës për të mos u dorëzuar.
Gjatë operacionit për kapjen e tyre u plagos dhe një tjetër efektiv i Policisë së Kosovës.