Ekonomi Dobësimi i Euros, Banka e Shqipërisë blen sërish valutë

Dobësimi i Euros, Banka e Shqipërisë blen sërish valutë

Banka e Shqipërisë ka zhvilluar ankandin e planifikuar të blerjes së valutës, për nevojat e administrimit të rezervës valutore, hap i cili vjen si pasoje e dobësimit të monedhës europiane prej disa muajsh, për shkak të forcimit të Lekut.

Shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 5 dhe 10 milionë Eurove, ndërsa Banka e Shqipërisë realizoi blerje në vlerën e 10 milionë Euro.

Ky proces në raundin e parë u realizua në kohën kur kursi i këmbimit valutor i Euros ishte në intervalin mes 106.4 dhe 106.62 Lekëve.

Ankandi i shtatorit dëshmoi normalizimin e tregut valutor, ndërkohë që në ankandin e mëparshëm të muajit gusht, Banka e Shqipërisë bleu vetëm 2.5 milionë Euro, pavarësisht parashikimit në intervalin mes 5 dhe 9 milionë Eurove.

Për shkak të pikiatës së monedhës europiane gjatë verës, Banka e Shqipërisë vendosi në Gusht që të rrisë blerjet e planifikuara të Euros në tregun e brendshëm valutor në një interval mes 220 milionë Euro dhe 300 milionë euro. Ky vendim erdhi si një formë për të tërhequr sasinë e madhe të valutës nga tregu dhe për të frenuar forcimin e mëtejshëm të Lekut.

Banka e Shqipërisë synon të blejë përmes ankandeve 220-300 milionë Euro deri në fund të vitit. Sa i përket situatës së monedhës europiane në tregun valutor, në fillim të javës ajo blihet me 106 Lekë, ndërsa shitet me 106.6 Lekë.