Politika Vlerësimi i DASH për Dvorani “plas barutin” në Tiranë, si reaguan Rama,...

Vlerësimi i DASH për Dvorani “plas barutin” në Tiranë, si reaguan Rama, Kim, Meta dhe Calavera

Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken ka renditur gjyqtarin dhe anëtarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani mes 12 Kampionëve Kundër Korrupsionit.

Ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, gjyqtari Dvorani u rendit nga DASH si një prej 12 Kampionëve që morën çmimin Ndërkombëtar të Departamentit të Shtetit për Kampionët Kundër Korrupsionit.

Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi sot se Departamenti Amerikan i Shtetit nderoi 12 individë të përkushtuar ndaj transparencës dhe llogaridhënies.

Por ky vlerësim ka ndezur “fitilin” në Tiranë. I pari që reagoi ishte kryeministri Edi Rama. Ai shkroi në Tëitter se vlerësimi i DASH-it ndaj Dvoranit është inkurajim për ata që luftojnë për reformën në drejtësi. Kreu i qeverisë shtoi në reagimin e tij se Dvorani u godit harbutërisht pasi nuk iu dorëzua presionit të së keqes.

“Ardian Dvorani u godit harbutërisht pikërisht se nuk iu dorëzua presionit të së Keqes dhe ky vlerësim rrezatues e shkrin krejt atë baltë imoraliteti politik e mediatik, që u hodh pa kursim mbi të, duke provuar edhe njëherë se e drejta vonon po nuk harron”, tha Rama.

Edhe ambasada amerikane në Tiranë në një reagim në Facebook, i bën jehonë vendimit të DASH-it, ndërsa thekson se gjyqtari e anëtari i KED-së, Ardian Dvorani, është një nga 12 Kampionët e Antikorrupsionit.

🇦🇱 | Përmes krijimit të Çmimit të Kampionëve Kundër Korrupsionit, Departamenti i Shtetit vlerëson punën e guximshme të…

Posted by U.S. Embassy-Tirana on Tuesday, 23 February 2021

Pas deklaratës së Ramës, erdhi edhe reagimi i presidentit Ilir Meta. Në një postim në Facebook nga zëdhënësi i tij Blushi, kreu i shtetit shigjeton jo vetëm kryeministrin Rama por edhe ambasadoren Kim.

Meta e cilëson reformën në drejtësi si Ramaformë dhe thekson se ajo do ngordhë më 25 prill. Ai shton se shqiptarët do i japin 3 milionë shuplaka Ramës, oligarkëve e diplomatëve të korruptuar deri në palcë.

Meta e kallëzoi Dvoranin në Prokurori për dy vepra penale, atë të shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të kompetencës dhe titullit shtetëror. “Të kallëzuarit Ardian Dvorani duhet t’i ndalohet menjëherë veprimtaria e organizuar kriminale për vonimin e procesit të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese, që vendin e fundit vakant në të, t’ia ruajë vetes”, është shprehur Meta.

Ai ka deklaruar se “nuk ka Rilindje lokale dhe ndërkombëtare që e shpëton atë nga përgjegjësia e rëndë penale”.

Edhe Genoveva Ruiz Calavera, ish-shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), ka uruar Ardian Dvoranin për vlerësimin e marrë nga DASH si një nga 12 personalitetet në botë “kampionë” në luftën kundër korrupsionit.

“Urime!!! Kurajoja e qytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve është çelësi për progres në luftën kundër korrupsionit. BE-ja do të vazhdojë që të mbështesë Shqipërinë për të forcuar fuqinë e ligjit, të çrrënjosë korrupsionin dhe të vendosë baza të begata për zhvillimin ekonomik”, shprehet ajo.