Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shprehet se komisioni është gati të nisë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për rrugën drejt BE-së.
“Telefonatë e mirë me kryeministrin Kovachevski. Lajme të mirëseardhura që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria me mbështetjen e Francës, janë afër një marrëveshjeje që merr parasysh interesat dhe shqetësimet. Komisioni Europian është gati të nisë procesin e shqyrtimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për hapin e radhës në rrugën e tyre evropiane”, shprehet Von der Leyen në një postim në Twitter.
Presidenti francez Emanuel Macron deklaroi një ditë më parë se është gjetur kompromis mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për heqjen e vetos bullgare.
Ai tha se kryeministri bullgar dhe presidenti e kanë pranuar këtë version ndërsa bisedime do të ketë në ditët në vazhdim në Shkup.
Nga ana tjetër, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se kanë marrë propozimin francez dhe se ai përmban edhe kërkesat e thëna në publik nga kryeministri, por duke mos saktësuar se cilat.