Kryesore Rama: Kemi propozuar instalimin e një baze navale të NATO-s në portin...

Rama: Kemi propozuar instalimin e një baze navale të NATO-s në portin e ri të Durrësit

Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë një konference ditën e sotme se gjatë samitit të NATO-s ka folur edhe për një projekt të Shqipërisë që ka ngjallur shumë interes dhe dëshirë.

Kreu i qeverisë njoftoi se ky projekt ka të bëjë me instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri të Durrësit në Porto Romano.

“Po ashtu kemi folur atje për projektin tonë. Së shpejt besoj që do të rikthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimin lidhur me propozimin tonë që ka ngjallur jo vetëm interes, por edhe dëshirë për të thelluar bisedimet për instalimin e një baze navale të NATO-s në portin e ri të Durrësit. Në portin e ri që do të jetë në Porto Romano dhe përveç pjesës komerciale tregtare, parashikohet që të ketë edhe një pjesë ushtarake. Së shpejti do të bëjmë një takim të posaçëm për këtë çështje me gjithë ekipin tonë të ekspertëve dhe ekspertët e aleancës për të parashtruar projektin në detaje dhe për të vijuar më tutje diskutimet. Do të ketë vlerë të jashtëzakonshme strategjike për Shqipërinë dhe vetë NATO-n”.

Rama përsëriti edhe një herë kërkesën që bëri në Samitin e aleancës, për përfshirjen e Kosovës në mekanizmin e mbrojtjes, një stad pararendës i anëtarësimit.

“Pavarësisht mosnjohjes nga të gjithë vendet, kjo nuk është një kohë e zakonshme dhe si e tillë kërkon akte të jashtëzakonshme, në aspektin politik dhe të vendimmarrjes. Pavarësisht se Ukraina nuk e njeh, Kosova ka mbajtur një qëndrim absolutisht të qartë dhe të saktë, duke treguar maturi si shtet, në raport me detyrimet ndaj gjithë kësaj familjeje të madhe që Kosova e ka të lidhur pazgjidhshmërisht fatin e saj”, tha Rama.