Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët këtë të mërkurë, foli për vendimin e një dite më parë të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Basha tha se ky ishte një rezultat i një pune edhe nga PD për të bindur skeptikët, por në anën tjetër tha se nga 5 kushte, tashmë Shqipërisë i janë bërë 9 kushte për hapjen e negociatave dhe për këtë, ai theksoi se është përgjegjësi direkte e Edi Ramës.
“Mirënjohje për vendimin e marrë mbrëmë nga dy grupet kryesore të Bundestagut. Të cilët, pas një periudhë të gjatë negociatash, kanë dakorduar qëndrimin që do t’i parashtrohet Bundestagut. Ka një kontradikt në këtë që sapo thash. Ndihem i lehtësuar që nuk ka një “jo” të prerë, që ishte qëndrimi fillestar i një grupi të rëndësishëm gjerman. Por nga ana tjetër, kemi kaluar nga 5 kushte para dy vitesh, në 9 kushte sot, duke përfshirë edhe kërkesën ngulmuese të Bundestagut, por zgjidhjen e krizës së rëndë politike në vend që vështirëson hapjen e negociatave. Kushtet shprehin shqetësimin e Bundestagut për situatën në vend, për hapat mbrapa që Shqipëria ka hedhur prapa. Përgjegjësia për mos-hapjen e negociatave për herë të katërt është i Edi Ramës. Garantoj të gjithë partneret tanë ndërkombëtar dhe shqiptarët se opozita do të bëjë gjithçka që vendit t’i hapen negociatat. Për këtë duhet së pari një lexim realist i situatës. Çka mungoi edhe dje. Për herë të katërt, Rama hapi shampanjë”, tha Basha.