Një nga statujat më të bukura të kryeqytetit helen, Atleti, do të dërgohet në Shkup dhe në vend të saj, do të sillet nga Maqedonia Veriore, statuja e Aleksandrit të Madh.
Lajmi është bërë publik nga skulptori që e ka krijuar atletin, Kosta Varucos. Sipas tij, këmbimi është kërkuar nga ministria greke e kulturës me qëllim pakësimin e veprave të polemizuara në Maqedoninë e Veriut, tani që mes dy vendeve është arritur marrëveshja për njohjen reciproke.
Por, pas bërjes publike të këtij lajmi, ka pasur reagime në Greqi, ku opinioni publik është shprehur kundër spostimit te monumentit, që është ndër atraksionet kryesore te kryeqytetit grek.
“Atleti” u vendos pranë hotelit Hilton të Athinës në vitin 1993. Ai dekoron një prej shesheve më të bukura të kryeqytetit helen, njëkohësisht, ndodhet në pjesën finale të trajektores origjinale të maratonës së Athinës. Statuja është e ndërtuar me mijëra fletë xhami, të mbështetura në një skelet bronzi.
Marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës, për emrin, parashikon, heqjen e emërtimeve dhe monumenteve irredentiste nga rrugët, aeroportet dhe sheshet e vendit fqinj, ose në rastet qe kjo nuk mundësohet, atëherë pranë këtyre objekteve, do te vendoset një pllakë, në të cilën do te shkruhet se vepra në fjalë, i përket epokës historike greke.