Gjykata e Shkallës së parë në Shkodër vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Kristian Kelmendin dhe Marian Kolën, dy të ndaluarit dhe të dyshuar si autorë të atentatit ku mbeti i vrarë ish-deputeti Pashko Ujka, disa ditë më parë.
Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, asnjë nga të arrestuarit nuk ka pranuar implikimin në këtë krim. Sipas Policisë, atentatori i drejtpërdrejt në këtë vrasje dyshohet se është Kristian Kelmendi, ndërsa i arrestuari tjetër, Marian Kola, dyshohet si bashkëpunëtor në vrasje.
Alibia e të arrestuarve është se në kohën kur ka ndodhur vrasja në Shkodër, ata kanë qenë në Kosovë. Madje me këtë pretendim, familjarë të Marian Kolës kanë kërkuar para ambienteve të Gjykatës, drejtësi për familjarin e tyre.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se motiv për ekzekutimin e ish-deputetit Ujka mund të jetë një borxh i pretenduar që viktima i ka pasur autorit të dyshuar në lidhje me shitjen e një apartamenti. Por hetimet e plota pritet të zbardhin më në detaje dyshimet e ngritura deri më tani në lidhje me këtë ngjarje.