Policia e Shtetit ka vendosur në dispozicion 20 milionë lekë të vjetra për këdo që jep informacion të vlefshëm për autorin e vrasjes së Kastriot Reçit.
47-vjeçari u qëllua me snajper ditën e sotme në orën 11:05 jashtë një lokali në qendër të Rrëshenit.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot, rreth orës 11:05, në afërsi të një lokali në Rrëshen, Mirditë, ku në rrethana ende të paqarta u vra me armë zjarri shtetasi K. R., 47 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, për çdo informacion të saktë që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vendndodhjen e autorit vë në dispozicion shumën 2 milionë lekë të rinj. Kushdo që mund të ketë informacion të vlefshëm, të telefonojnë në numrin unik 112 dhe në numrin në dispozicion për këtë qëllim 069 41 06 449, duke ju garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm”, thotë Policia e Shtetit.
Në lidhje me hetimet për këtë ngjarje, policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria e Policisë së Lezhës, dhe komisariati i policisë së Mirditës.
Në vendngjarje kanë shkuar edhe disa grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërkohë që po vazhdojnë kërkimet për gjetjen dhe kapjen e autorit/ëve.
Po kështu, janë shtuar kontrollet në disa akse rrugore dhe nëpër kufirin e gjelbër, me qëllim që vrasësi i dyshuar të mos largohet nga vendi.
Hetuesit kanë gjetur edhe armën me të cilën dyshohet se u qëllua për vdekje 47-vjeçari Reçi. Kjo armë është një snajper që u gjet në zonën ku ndodhi krimi, pak metra larg pallatit nga ku u krye qitja.