Konstandin Xhuvani u dënua me 35 burg në vitin 2015-të për vrasjen e katërfishtë që kreu në Tiranë në nëntor të 2014-ës. Tashmë i janë shtuar edhe katër vite të tjera burg, duke e çuar në 39 vite burg dënimin që ka për të shlyer.
Gjykata e Gjirokastrës ka dënuar me 4 vite burgim Xhuvanin për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve”. Gjithashtu togat e zeza të qytetit të gurtë kanë dënuar me 1.5 vite burg Kujtim Budanin, ish-infermierin e Spitalit Psikiatrik në Elbasan, i akuzuar për “Falsifikim dokumentesh”.
Në fakt ishte vrasja e katërfishtë për të cilën Xhuvani është dënuar me 35 vjet burg që riktheu në skenë historinë e kanosjes në Gjirokastër në prill 2014. Kjo dosje penale është hapur dhe mbyllur disa herë nga prokuroria, por këtë herë pas disa verifikimeve të imtësishme, prokuroria ka arritur të zbulojë të gjithë kronologjinë e këtij krimi të ndodhur në Gjirokastër.
Kryerja e ekspertizës balistike të armës që përdori Xhuvani në masakrën e katërfishtë në Tiranë me tre gëzhojat e sekuestruara në ngjarjen e Gjirokastrës rezultoi se ishte e njëjtë me armën që u përdor në ngjarjen e 25 prillit të po atij viti në Gjirokastër.