Aktualitet Vrasja e Martin Bardhit në qendër të Rrëshenit, policia: 3 qytetarë të...

Vrasja e Martin Bardhit në qendër të Rrëshenit, policia: 3 qytetarë të plagosur nga të shtënat

Një ngjarje e rëndë ndodhi paraditen e kësaj të marte, në një lokal në qendër të qytetit të Rrëshenit. Martin Bardhi, 59 vjeç u qëllua për vdekje në rrethana ende të paqarta.

Autorët dyshohet të kenë qenë dy persona, të cilët pasi hapën zjarr u larguan me një makinë fuoristradë me ngjyrë të zezë.

Në momentin e të shtënave në zonë kishte qytetarë të shumtë. Policia njoftoi se kanë mbetur të lënduar edhe 3 qytetarë që ndodheshin në afërsi të vendit të ngjarjes.

Vendi në fjalë ndodhet pranë spitalit të qytetit dhe rreth 50 metra larg komisariatit të Rrëshenit.

Pas ngjarjes, në fshatin Gëziq të Mirditës është gjetur duke u djegur një fuoristradë që dyshohet se i përket autorëve.

“Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrëshen, ku nga shtetas ende të paidentifikuar, u vra me armë zjarri shtetasi Martin Bardhi, ju informojmë se si pasojë e të shtënave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, shtetasit I. B., I. B. dhe O. Gj., të cilët kanë qenë në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja dhe janë transportuar në spital, për të marrë ndihmën mjekësore.

Ndërkohë, në fshatin Gëziq, Mirditë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes.

Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.

Gjithashtu, drejt vendit të ngjarjes janë nisur Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale, si dhe të Rendit dhe Sigurisë Publike.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH dhe nga Policia vendore, dhe në drejtimin e prokurorit, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.