Bota Macron po e shtyn Europën në një “luftë” 900 miliardë dollarëshe me...

Macron po e shtyn Europën në një “luftë” 900 miliardë dollarëshe me Kinën

Qasja e re, më e ashpër e Bashkimit Europian ndaj Kinës po formësohet nga shqetësimet e Francës rreth praktikave tregtare të Pekinit.

Këto të fundit po përbëjnë një kërcënim veçanërisht të rëndësishëm për industritë kryesore.

Siç vë në dukje Bloomberg, Parisi ka marrë një rol kyç në shtytjen për ndryshimin e politikave, duke besuar se mosveprimi në momentin aktual mund ta rrezikojë ekonominë e BE-së në afat të gjatë.

Burime anonime të rangut të lartë të cituara nga agjencia sjellin në vëmendje shkatërrimin e industrisë diellore një dekadë më parë, kur importet e lira nga Kina fshinë prodhimin evropian.

Një nga zyrtarët tha se industria europiane e automobilave mund të goditet në të njëjtën mënyrë, duke e lënë BE-në me një dilemë të madhe: Ose të pretendojë fuqinë e saj ose t’i përkulet Kinës.

Synimi i BE-së nuk është të kthejë marrëdhëniet tregtare të Europës me Kinën prej 900 miliardë dollarësh në vit në një betejë frontale si ajo e Pekinit me SHBA-në, por përkundrazi të krijojë një fushë loje të barabartë midis blloqeve më të mëdha ekonomike në botë.

Presidenti francez Emmanuel Macron dëshiron që partnerët e tij në BE ta shohin Europën si një forcë balancuese midis dy superfuqive ekonomike të botës. Kjo do të lejonte Parisin dhe kryeqytetet e tjera të kultivonin marrëdhënie të veçanta me aleatë të tjerë të mundshëm, si India.

Bashkimi Europian po shqyrton vendosjen e tarifave për automjetet elektrike kineze, të cilat mund të çojnë në një luftë tregtare me Kinën. Kjo nismë ka shkaktuar shqetësim tek ekonomistët evropianë, të cilët paralajmërojnë se një veprim i tillë mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë evropiane.

Presidenti francez Emmanuel Macron është një nga ithtarët kryesorë të një linje të ashpër kundër Kinës. Macron beson se Europa duhet të mbrojë industritë e saj nga subvencionet kineze dhe importet e lira.

Megjithatë, shumë vende të tjera europiane, përfshirë Gjermaninë, janë më ngurrues për t’u përfshirë në një luftë tregtare me Kinën, nga frika se kjo do të dëmtonte eksportet e tyre.