Të shtënat me armë që tronditën këtë të mërkurë Elbasanin, ku mbeti i vrarë 56-vjeçarin Pjerin Xhuvani, lanë gjithashtu të plagosur 4 persona të tjerë.
Ata janë efektivja 27-vjeçare e forcave Shqiponja, Xhensila Sota, Emiljan Prenga 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç.
Motivet e ngjarjes së rëndë deri më tani mbeten të paqarta. Dyshimet janë se konflikti ka lidhje me fushatën elektorale që po zhvillohet në qytetin e Elbasanit.
Dëshmitarë okularë nga vendi i ngjarjes thanë se kishte pasur një shkëmbim zjarri.
Sa i përket autorit të kësaj ngjarjeje, zyrtarisht policia tha se ai është Arbër Papleka, ish-efektivi i forcave RENEA, i cili u vetëdorëzua në polici pak kohë pas ngjarjes.
Viktima Pjerin Xhuvani me profesion mjek, është një emër i njohur për opinionin publik. Ai më parë ka qenë kryetar i LSI-së në Elbasan si dhe kandidat për deputet i kësaj force në zgjedhjet e 2013. Ai ka mbajtur gjithashtu edhe poste të larta drejtuese në administratën lokale në Elbasan, si ish-Drejtor i Spitalit Psikiatrik dhe ish-Drejtor i Rajonal i Fondit të Barnave të Rimbursueshme.
Për herë të fundit ai u pa publikisht në përplasjen që ndodhi gjatë Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit. Në këtë rast ai u denoncua nga Partia Demokratike, se kishte qenë pjesë në përplasje si mbështetës të PS-së.