Gjykata e Durrësit ka vendosur “arrest me burg” për Ilir Koçiljen, 35-vjeçarin i cili vrau të mërkurën me thikë fqinjin e tij, Halil Koka.
Në gjykate i pandehuri është shfaqur i penduar, por në deklarimin e tij është ka qenë i paqëndrueshëm mendërisht. Fillimisht ka deklaruar se ka humbur disa tendera përballë mafias dhe më pas shpjegoi se si kishte ndodhur ngjarja. Ai tha se kanë qenë 3 vetë që po e ndiqnin për ta rrahur, midis tyre edhe viktima.
Gjyqtarja Besjana Garxenaj kërkoi që të bëhet edhe ekspertim i gjendjes psikologjike dhe mendore. Autori ka qenë i dënuar në vitin 2018 për përndjekjen e një shtetaseje me 4 muaj e 20 ditë burg.
Ai jeton i vetëm në Durrës, pasi familjarët e tij janë në emigracion. Avokati mbrojtës kërkoi masë sigurie arrest me burg me afat dhe të vlerësohet gjendja e tij mendore. Në fund gjykata vendosi arrest me burg pa afat.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi pas një sherri mes dy banorëve për parkimin e makinës së viktimës në hyrjen para pallatit. Konflikti e kishte zanafillën disa ditë para vrasjes, që sipas 35-vjeçarit Koçilja, ky i fundit i kërkonte të mos e parkonte makinën aty.
Koçilja tregoi se i kishte gërvishtur mjetin Halil Kokës pasi ky i fundit vazhdonte ta parkonte para pallatit. E sipas tij, ditën e ngjarjes, Halil Koka e kërcënoi.
“Me Halili Kokën ishim fqinj. Kemi qenë shokë, por kohët e fundit nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin. Ai linte makinën te hyrja e pallatit. I kisha thënë disa herë që mos ta linte aty se pengonte qytetarët që të kalonin për të shkuar në shtëpi. Kur i thashë mos e lër më makinën aty, ai më ofendoi…”, ka thënë Ilir Koçilja në dëshminë e tij para policisë.
46-vjeçari Halili Koka u godit me thikë në zemër dhe humbi jetën gjatë dërgimit për në spitalin e qytetit. Autori u kap nga policia pas disa orësh.