Gati dy javë pas ekzekutimit të 49-vjeçare Liri Xhepa, policia e kryeqytetit ka vënë në pranga autorin e dyshuar të këtij krimi dhe një person të dytë, i cili e ka ndihmuar të fshihet.
Ashtu siç u dyshua që në orët e para pas gjetjes së trupit pajetë në afërsi të liqenit të Sharrës, dyshimet kryesore për krimin e rëndë bien mbi kunatin e viktimës, Dashamir Xhepa, i cili u vu në pranga nga policia e Tiranës.
Në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative, shërbimet e Policisë lokalizuan vendndodhjen e autorit të dyshuar, Dashamir Xhepa, dhe bënë kapjen dhe arrestimin e tij në qytetin e Peshkopisë ku dhe strehohej.
Gjithashtu u arrestua dhe shtetasi me iniciale M. S, pasi e ka ndihmuar dhe strehuar autorin e dyshuar.
Mbi Dashamir Xhepen rëndojnë akuzat për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa në ngarkim të bashkëpunëtorit të tij është ngritur akuza “Përkrahje e autorit të krimit”.