Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, thotë se tashmë është dakordësuar për agjendën e negociatave me Kosovën në Uashington, ku do të mbahet një takim me datë 4 shtator. Në një intervistë për mediat e vendit të tij Vuçiç deklaron se në të është një ‘pikë e papranueshme’.
Presidenti i Serbisë nuk specifikoi se për çfarë bëhet fjalë, por vlerësoi se pret befasi dhe negociata të vështira.
“Tema e vetme e bashkësisë ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për Kosovën, pavarësisht nga agjendat, është njohja e Kosovës. Thelbi është që (Avdullah) Hoti dhe zyrtarë shqiptarë thonë se po shkojnë në Shtetet e Bashkuara për njohje. Kishte edhe deklarata jozyrtare nga udhëheqësit në rajon që do të nënshkruaj çkado që ofrohet në Uashington. Këtë e dëgjova me kujdes. Unë pres një befasi, nuk hezitoj ta them këtë, dhe do t’i kërkoj falje administratës amerikane nëse kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiç për televizionin serb “Pink” të shtunën në mëngjes.
“Nuk ka rëndësi se nën çfarë lloj shantazhi jemi, ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesat e shtetit. Deri më tani, ne nuk kemi analizuar atë që Serbia ka sot në Kosovë dhe çfarë është reale që mund të marrim,”- tha presidenti serb para bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të premten e ardhshme.
Përsa i përket një pjesëmarrje të Trump në negociata me kryeministrin e Kosovës Hoti, Vuçiç shprehet pesimist, pasi tha se nuk e pret këtë nëse “përmbajtja e kërkesës së SHBA-së për Serbinë në lidhje me Kosovën është si supozohet”.
“Meqenëse mendoj se e di se cila mund të jetë përmbajtja e asaj befasie, sepse e ndiej atë, dhe jo sepse kam të dhëna, ka më shumë të ngjarë që do ta refuzoj këtë dhe se ky takim nuk do të zhvillohet,”-tha Vuçiç.
Sipas presidentit serb shteti i tij po vuan politikat e gabuara të viteve 1990.