Edhe në Serbi, zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA kanë një interes të madh. Presidenti Aleksandar Vuçiç e ka të qartë se kë do të mbështesë në këto zgjedhje.
Kjo sepse nga fituesi i tyre do të varet edhe zgjidhja e çështja midis Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu edhe procese që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor.
Për shumë ekspertë të huaj, situata do të jetë në favor të Kosovës në rast se Joe Biden do të fitojë garën presidenciale, pasi sipas tyre do të shmanget një marrëveshje potencialisht e keqe në rast se Donald Trump humb zgjedhjet.
Lidhur me këtë, foli edhe kreu i shtetit serb, i cili tha se do të jetë shumë mirë për Serbinë në rast se Donald Trump fiton edhe një mandat të dytë.
“Unë nuk besoj në ndryshime të mëdha në politikën amerikane, por besoj në ndryshime të vogla, të cilat do të kishin një rëndësi të madhe për Serbinë”, tha Vuçiç që shtoi se nuk mund të japë më shumë detaje pasi një gjë e tillë do të përkeqësonte pozicionin e Serbisë dhe do të vendoste partnerët amerikanë në një pozitë të palakueshme.