Themeluesi i Uikiliks Julian Asanzh, brenda pak orësh mund të dëbohet nga ambasada e Ekuadorit në Londër, ku jeton prej shtatë vitesh. Arsyeja është publikimi nga ana e Uikiliks, i llogarive sekrete bankare të presidentit të Ekuadorit.
Me anë të një mesazhi në Twitter, Uikiliks shkruan se themeluesi i tij, Julian Assange, do të dëbohet nga Ambasada e Ekuadorit në Londër, ku jeton pothuaj prej shtatë vjetësh. Sipas Uikiliks dëbimi pritet të ndodhë brenda pak orësh.
Shkak për këtë vendim është publikimi në 25 mars në “INA Papers“, një seri dokumentesh që vërtetojnë llogaritë sekrete bankare të presidentit të Ekuadorit Lenin Moreno, në vende të cilësuara si parajsa fiskale. Ditët e fundit Moreno akuzoi Asanzh se kishte shkelur në mënyrë të përsëritur rregullat e azilit. Uikiliks pretendon se Ekuadori ka arritur një marrëveshje me mbretërinë e bashkuar për arrestimin e Asanzh.
Në vitin 2010 një gjykatë suedeze, kërkoi arrestimin e Asanzh për tre akuza përdhunimi dhe ngacmime seksuale. Por në vitin 2017 çështja u mbyll.
Ndaj tij mbetet në fuqi mandati i arrestit nga policia e Londrës. Në vitin 2010 ai arrestua nga policia britanike si pasojë e një mandat-arresti evropian dhe ndërkombëtar nga ana e Interpol, me kërkesë të autoriteteve suedeze. Por pasi u lirua me kusht ai u arratis.
Në vitin 2012 ai kërkoi dhe përfitoi azilin politik në Ambasadën e Ekuadorit pasi i frikësohej ekstradimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo pasi ka publikuar nëpërmjet Uikiliks dokumente sekrete amerikane.