Një raport i organizatës World Vision në Shqipëri vlerëson se Bashkia e Kurbinit është më e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Organizata ka kryer verifikime në bashkitë Durrës, Kamëz, Kurbin dhe Lezhë. Problemi kryesor për banorët e Bashkisë Kurbin mbetet mungesa e strehës. 94% e banorëve të prekur nga tërmeti vijojnë të flenë në tenda, vlerëson raporti.
Raporti jep të dhëna alarmante edhe për numrin e invalidëve në këtë bashki. Rreth 25 përqind e shtëpive që janë monitoruar nga World Vision numërojnë të paktën një person me aftësi të kufizuar. Në total janë 180 invalidë në familjet e prekura nga tërmeti.
Mungesa e higjienës është një problem që prek të gjitha bashkitë e monitoruara. Fëmijët janë grupi më vulnerabël nga banorët e prekur. 74% e tyre kanë treguar se ndihen të traumatizuar. Afro 50% e personave që janë pyetur nga World Vision kanë treguar se nuk kanë marrë informacion të mjaftueshëm për shërbimet e ofruara për përballimin e situatës nga tërmeti.
World Vision sugjeron që fëmijët të jenë prioritarë në mbështetjen me strehë, edukim, përkujdesje shëndetësore dhe ushqim.
“Duhen marrë masa emergjente për komplete higjiene për familjet e prekura. Bashkia e Kurbinit duhet të ketë përparësi në mbështetjen qeveritare si më e prekura nga tragjedia e 26 nëntorit”, sugjeron World Vision sugjeron