Politika Xhafaj: Tërmeti ‘i mirë’ na paralajmëroi, të veprojmë, se nesër mund të...

Xhafaj: Tërmeti ‘i mirë’ na paralajmëroi, të veprojmë, se nesër mund të jetë shumë vonë

Ish-ministri i brendshëm, Fatmir Xhafaj në fjalën e tij në seancën plenare të kësaj të hëne, duke iu referuar tërmetit të 21 shtatorit, theksoi se ndonëse fatkeqësitë natyrore nuk mund t’i parashikojmë, dëmet që ata shkaktojnë mund të parandalohen.

Duke thënë se tërmetet lanë pas jo vetëm të plagosur por edhe dëme të konsiderueshme materiale. Xhafaj kritikoi edhe opozitën, e cila shfrytëzoi fatkeqësinë natyrore për të bërë politikë.

Deputeti i Partisë Socialiste renditi masat që duhen marrë, me qëllim evitimin e pasojave të frikshme që mund të vijnë nga fatkeqësitë natyrore.

Xhafaj tha: “Tërmetet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore nuk mund t’i parashikojmë, por dëmet e mëdha mund t’i parandalojmë. Qeveria do t’i bënte një shërbim të mirë vendit nëse në reflektim të kësaj që përjetuam dhe nevojës për t’u përballur me to, të përgatiste dhe të bënte shumë shpejt publike një strategji të qartë reflektimi të shoqëruar me një plan serioz veprimi.

Më së paku, është domosdoshmëri nevoja për evidentimin shkencor të dëmeve, një hartë të re sizmike të vendit, ndërmarrja e një analize shkencore për të përcaktuar zonat problematike që sjellin risqe të mëdha nga tërmtetet, për shkak të ndërtimeve të paligjshme, rezervuarët, digat, urat. E kemi të domosdoshme për të ngritur apo përmirësuar institucionet shkencore të këtyre fushave.

Përmirësimin e rregullave të ndërtimit, kontrollin e ndërtimeve, përgjegjësitë ligjore për këtë, mungesën e hapësirës për gjendjen dhe veprimin e emergjencës për situata të tilla dhe miratimin e protokolleve në situata të tilla. Ky tërmet i mirë na paralajmëroi, ne duhet të veprojmë, nesër mund të jetë shumë vonë.”