Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kritikuar vendimin e presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov për mos dhënien e mandatit Zoran Zaevit të LSDM-së për krijimin e qeverisë së re.
Ivanov nuk i dha mandatin për shkak të asaj që kryetari maqedonas e ka quajtur platformë shqiptare, të hartuar, sipas tij, në një shtet të huaj, Shqipëria.
Sipas Ymerit, vendimi i Ivanovit tregon shtypjen e vazhdueshme ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Ai e ka quajtur shovinist këtë vendim të Ivanovit.
“Platforma nuk është se kërkon kushedi se çka, përveçse arritjen dhe realizimin e të drejtave minimale të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Pra, për Maqedoninë të drejtat minimale të shqiptarëve, çfarëdo hapi drejt çlirimit prej shtypjes, e aq më tepër drejt barazisë së shqiptarëve, qenka e papranueshme dhe po e rrezikoka sovranitetin e Maqedonisë. Dëshmi më të mirë se Maqedonia është e ngritur në kurriz të shqiptarëve dhe jeton mbi shtypjen e tyre nuk ka. Vendimi i Ivanov për ta pamundësuar qeverinë e drejtuar nga Zaev për shkak të Platformës së shqiptarëve është krahu institucional i protestave raciste dhe shoveniste të nacionalistëve maqedonas. Edhe vet ky vendim ka ngarkesa shoveniste e raciste”, ka shkruar ai në Facebook.
Ymeri po ashtu ka kritikuar edhe BE-në që nuk u deklarua lidhur me këtë rast, duke thënë se po të ndodhte një gjë e tillë në Kosovë do të kishte shumë reagime.
“Ndërkohë që BE ende nuk ka folur për këtë gjë. Madje deklarimet e Ivanov ishin bërë në prani të ambasadorëve. Po të kishte protesta të tilla fashiste e deklarime të tilla shoveniste institucionale në Kosovë a Shqipëri do të kishin reaguar deri tash të gjithë pa dallim: zyrtar të BE-së, ambasadorë, zëdhënës, OJQ, e të tjerë”, ka thënë ai. “Ivanovi dhe Gruevski duan që përmes kartës së shqiptarofobisë ta mbrojnë edhe qeverisjen e tyre kriminale dhe të korruptuar, që prodhoi një sistem dhe shoqëri të padrejtë dhe të pabarabartë sikur midis përkatësive të ndryshme kombëtare, ashtu edhe mes shtresave të ndryshme shoqërore”.
Në fund Ymeri ka ftuar shqiptarët e Maqedonisë që të qëndrojnë së bashku rreth kësaj platforme dhe të mos ndahen në asnjë mënyrë. Sipas tij, Tirana zyrtare duhet t’u rrijë afër shqiptarëve në Maqedoni sepse “Prishtina me këtë pushtet, rrezik që do të ndërhynte për ta mbrojtur Gruevskin”.
“Pavarësisht kësaj shqiptarët duhet të rrijnë bashkë. Kjo situatë e bën edhe më të vlefshëm qëndrimin bashkë dhe Platformën rretg së cilës janë bashkuar. Në asnjë mënyrë nuk bën të ndahen. Përfaqësuesit politik shqiptarë nuk duhet t’ia mundësojnë Gruevskit themelimin e qeverisë, asesi. Ata po ashtu në asnjë moment nuk bën të lihen vetëm nga Tirana zyrtare. Sa për Prishtinën me këtë pushtet, rrezik që do të ndërhynin për ta mbrojtur Gruevskin, dhe idenë e tij të mëhershme për qeveri gjithëpërfshirëse”, ka shkruar ai.