Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim në një video-mesazh në rrjetet sociale ka zbardhur detaje nga takimi që zhvilloi sot me Presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama lidhur me situatën ku ndodhet vendi nga koronavirusi. Kim shprehet se ka vlerësuar kreun e shtetit dhe të qeverisë për udhëheqësinë e unifikuar në luftën kundër koronavirusit.
Ne videomesazhin e saj ambasadorja amerikane teksa bën me dije se ka biseduar me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama, deklaron se shprehu mbështetjen e saj për këto masa, që sipas saj janë të forta por të nevojshme.
Ajo theksoi mes të tjerash se në këtë sfidë për mbarë botës, ajo çka duhet të bëjnë qytetarët, është që të rrinë të bashkuar dhe të qëndrojnë në shtëpi, fjali që e thotë në gjuhën shqipe.
“Përshëndetje! Doja t’ju thoja se sot unë bisedova me presidentin Meta dhe kryeministrin Rama për shprehur vlerësimin për udhëheqësin e tyre për të unifikuar në luftën kundër koronavirusit në Shqipëri. U shpreha gjithashtu edhe mbështetjen e fortë për masat që ata kanë marrë në këtë betejë. Ato janë të fortë, por të nevojshme. Ashtu si kanë thënë presidenti Trump dhe kryeministri Rama; kjo është një luftë dhe për të fituar një luftë duhet disiplinë dhe bashkim. Prindërit dhe gjyshërit tanë u thirrën për të dhënë jetën në vijën e zjarrit. Ne na kërkohet që të qëndrojmë në shtëpi për të jetuar. Prandaj, le ta bëjmë këtë. Të qëndrojmë të bashkuar, të qëndrojmë të disiplinuar, dhe ta fitojmë këtë luftë. Faleminderit shumë dhe rrini në shtëpi”, thuhet në videomesazhin e diplomates amerikane.