Ministria e Jashtme bën me dije se kanë nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.
Ambasadorja Kim e nisi mandatin në janar të vitit 2020 dhe tashmë pas 3 vitesh ajo do të duhet të largohet me përfundimin e tij.
MEPJ ndonëse konfirmon në këtë mënyrë largimin e diplomates së propozuar nga Donald Trump nuk jep detaje se kush do të jetë pasuesi i saj.
“Konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente”, shkruhet në njoftim.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim zhvilloi dje një takim me presidentin Bajram Begaj të cilit i komunikoi edhe përfundimin e mandatit të ambasadores Kim në Tiranë.
Ambasada amerikane do të drejtohet nga zëvendësambasadori Demian Smith që nisi detyrën si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA në Tiranë në korrik 2021.
Yuri Kim mbërriti në Tiranë si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020. Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.
Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë.
Më herët në karrierën e saj, ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit. Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën. Yuri Kim ka një diplomë bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit.