Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, e ka cilësuar vendimin e presidentit të Maqedonisë si një grusht-shteti. Në një konferencë për mediat Zaev tha se vendimi krijon krizë kushtetuese duke injoruar shumicën e vullnetit të qytetarëve dhe pamundëson kalim të qetë të pushtetit.
“Ivanov po vihet edhe një herë vihet në shërbim të Gruevskit. Ne nuk do të lejojmë askënd që të luaj me ardhmërinë e vendit. Ivanov duhet të tërheq këtë vendim dhe menjëherë ta dorëzojë mandatin”, ka thënë Zaev.
Kryetari i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev i dorëzoi të hënën më 27 shkurt presidentit Gjorgje Ivanov 67 nënshkrimet e deputetëve të partisë së tij, të Bashkimit Demokratik për Integrim, të Lëvizjes Besa dhe Aleancës për shqiptarët, si garanci e krijimit të shumicës parlamentare për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.
Pjesë e marrëveshjes ishte propozimi i hartuar nga partitë shqiptare për përdorimin e gjuhës shqipe në shkallë vendi, gjë që nxiti reagime të VMRO-DPMNE-së e cila dështoi të sigurojë mbështetjen për themelimin e qeverisë.
Mbështetësit e kësaj partie u hodhën ne protesta në Shkup kundër asaj që e quajnë federalizim të Maqedonisë, duke kundërshtuar zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe.