Ka përfunduar gjatë mbrëmjes mes 25 dhe 26 qershorit rishikimi i Kodit Zgjedhor dhe ekspertët kanë dorëzuar amendamentet që duan të shtojnë në të.
Ndryshime të rëndësishme janë propozuar për sa i përket aktivitetit të ekzekutivit para mbajtjes së zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të refuzojë listat e partive politike nëse nuk kanë 30% femra. 4 muaj përpara zgjedhjeve, Qeveria nuk mund të marrë vendime favorizueze, si ulje taksash, rritje pensionesh, etj. 4 muaj përpara zgjedhjeve, Qeveria mund të zhvillojë aktivitete vetëm me lejen e KQZ. Nëse KQZ vlerëson se aktivitet janë me natyrë elektorale i bllokon ato dhe transmetimi në media ndalohet.
Sa i përket vetë ngritjes së KQZ, në amendamente propozohet që kryekomisioneri të ketë mandat 7-vjeçar, ndërsa nënkryekomisioneri 4-vjeçar. Nga ana tjetër, është propozuar që anëtarët e Këshillit Rregullator të kenë mandat 5-vjeçar, ndërsa ata të KAS, 9-vjeçar. Për zgjedhjen e këtyre 12 anëtarëve të rinj, PD do të sjellë në Kuvend një të dërguar të posaçëm.
Për postin e kryekomisionerit të KQZ, nga të gjitha kandidatët që do të aplikojnë, komisioni kuvendor do të zgjedhë 3 emra, ndërsa i dërguari i opozitës do të ketë të drejtë të skualifikojë njërin prej tyre. Prej 2 kandidatëve të mbetur, Kuvendi zgjedh njërin me 84 vota.
E kundërta ndodh për emërimin e nënkryekomisionerit. I dërguari i opozitës zgjedh 3 emra mes kandidatëve, ndërsa deputetët skualifikojnë njërin dhe votojnë për 2 të tjerët.
Për Këshillin Rregullator dhe KAS, i dërguari i opozitës zgjedh 2 emra ndërsa 3 të tjerët i zgjedhin deputetët. Më pas, lista me 5 emra votohet në bllok në Kuvend.
Në ndryshimet e miratuara vihen re edhe disa ndalime të tjera. Në nenin 12 është vendosur që shqiptarët e diasporës që janë të regjistruar, të jenë në një zonë unike, atë të qarkut të Tiranës.