Emisioni “Opinion” ka zbardhur shumën që është vjedhur në grabitjen e aeroportit të Rinasit.
Paratë kanë qenë të tre bankave të nivelit të dytë.
Banka e parë ka transferuar përkatësisht një shumë prej 1 milionë Eurosh e 850 mijë Paund, banka e dytë 3 milionë euro 400 mijë Dollarë e 100 mijë Paund dhe banka e tretë 1 milionë Euro.
Në total shumë e grabitur llogaritet në 6 milionë e 4 457 mijë Euro.
Grabitësit e aeroportit të Rinasit kanë pasur informacion të detajuar për transportin e parave. Ata dinin saktësisht oraret se kur blindat me para do të mbërrinin në aeroport, ku shumat monetare të tre bankave në Shqipëri do të transportoheshin drejt Austrisë.
Paratë e grabitura u përkasin 3 bankave të nivelit të dytë. Secila bankë i transportonte paratë me 3 autoblinda, pra në total 9 autoblinda.
Autoblindat e bankës së parë janë me targa AA 258 VG, AA 203 SS dhe AA 415 LH dhe ishin nisur në orën 12:40 dhe mbërritën në Rinas në orën 13:35.
Blindat e bankës së dytë me targa AA 742 UH, AA 857 SD dhe AA 514 LU u nisën në orën 12:35 dhe mbërritën në aeroport në orën 13:30.
Kurse autoblindat e bankës së tretë me targa AA 357 OX, AA 956 SN dhe AA 356 OX u nisën në orën 11:40 dhe mbërritën në aeroportin e Rinasit në orën 12:32.
Pas këtij momenti, kanë ndërhyrë grabitësit e maskuar dhe të armatosur rëndë duke u futur në pistën e aeroportit me një furgon të bardhë me mbishkrimin “kontrolli tatimor” dhe u larguan duke marrë miliona Euro. Gjatë arratisjes, ata u përballën me FNSH dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Admir Murataj. Dyshohet se nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një grabitës tjetër, por të gjithë janë në kërkim.