Aktualitet Zbardhet vrasja e 39-vjeçarit shqiptar në Athinë: Vëllai i tij u përfshi...

Zbardhet vrasja e 39-vjeçarit shqiptar në Athinë: Vëllai i tij u përfshi në sherrin në lokal

Policia greke ka lëshuar 8 urdhërarreste për persona të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e 39-vjeçarit shqiptar Pëllumb Islami mbrëmjen e 21 shkurtit në një lokal në lagjen Nea Ionia të Athinës.

Fillimisht u dyshua se viktima me profesion hidraulik humbi jetën aksidentalisht duke parë ndeshjen e Champions League pasi u kap nga një plumb kur një sherr mes një grupi shqiptarësh nisi në lokal.

Por hetimet e policisë greke kanë zbuluar se ngjarja ka pasur një tjetër rrjedhë. Mediat greke zbulojnë se ndihmën kryesore për zbardhjen e ngjarjes e ka dhënë dëshmia e pronarit sirian të lokalit.

Ai tha se kishte thirrur shqiptarët në lokal për të sqaruar se kush kishte tentuar të grabiste me thikë djalin e tij 16-vjeçar pak ditë më parë. Por me mbërritjen në lokal grupi i shqiptarëve ka vënë re praninë e vëllait të viktimës me të cilin kishin një hasmëri të vjetër.

Sipas të njëjtave burime një 34-vjeçar nga Fieri i identifikuar si Elis Salaj, pronar i një klubi nate e akuzonte atë për një atentat të dështuar ndaj tij në dhjetor të vitit 2022. Në atë kohë një person kishte tentuar të hapë zjarr ndaj tij përpara lokalit që administronte, por i është bllokuar automatiku.

Vëllai i viktimës ka debatuar me grupin e shqiptarëve derisa Elis Salaj ka hapur zjarr duke i marrë jetën 39-vjeçarit. Identitetet e personave të përfshirë u zbuluan edhe nga gjurmët e lëna nga 2 makina të braktisura pas ngjarjes.