Zbardhet kërkesa e prokurorisë së Tiranës për tre kontrollorët e arrestuar të enjten, pas nisjes së grevës, duke shkaktuar bllokim të Aeroportit të Rinasit.
Grupi i hetimit në bazë të bisedave ka arritur të provojë se Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini kanë ndikuar tek kontrollorët që të plotësojnë formularin për paaftësi të përkohshme në punë.
Në disa raste prokuroria thotë që të dyshuarit e kanë plotësuar formularin e paaftësisë edhe për kolegët e tyre, ndërsa me ata që kanë kundërshtuar kanë bërë debate deri sa i kanë bindur për të firmosur.
Njëri nga kontrollorët ka rrëfyer para grupit të hetimit se ai ka bërë debat me Flora Ndrecën pasi nuk ka pranuar që të plotësojë formularin. Më pas ata kanë debatuar për disa minuta rreth plotësimit të deklaratës. Por në bazë të ligjit kontrollorët nuk duhet që të zihen në vendin e punës dhe kontrollori Kujtim Malko i ka kërkuar Flora Ndrecës që të largohet nga kulla dhe ta linte që të punonte i qetë. Kujtim Malko u ka treguar hetuesve se kolegia e tij e ka fyer duke iu drejtuar me fjalët se ‘ti nuk je burrë’ pasi nuk ka pranuar të plotësojë formularin e paaftësisë në punë. Më pas Malko i është kthyer duke i thënë që të largohej nga kulla ndryshe do ta hidhte poshtë.
“Flora Ndreca më ka pyetur se çfarë do të bëja me formularin e paaftësisë. I kam thënë se nuk do ta plotësoj. Debatet për plotësimin e formularit të paaftësisë kanë vazhduar disa minuta dhe për shkak se nuk lejohet debat në vendin e punës, i kam kërkuar që të largohet. Mes debateve, m’u drejtua duke më thënë “ti nuk je burrë”. Në këtë moment i jam përgjigjur që të zbresë nga kulla, përndryshe do ta hidhja nga kulla”.
Flora Ndreca: Nuk kam pasur rol tek kontrollorët e tjerë
Në deklarimet e dhëna para hetuesve, Flora Ndreca thotë se greva e 65 kontrollorëve erdhi pas pushimit nga puna të 5 kolegëve. Ajo mohon se kishin menduar braktisjen e punës, duke pretenduar se gjithçka ka qenë spontane.
43-vjeçarja është shprehur se nuk ka pasur rol tek kontrollorët e tjerë, dhe plotësimi i deklaratës së paaftësisë në punë është bërë nga kolegët e saj.
Mes të tjerash ajo tregoi edhe për takimin që zhvilluan më 30 Mars me presidentin Meta, bashkë me disa kolegë të tjerë dhe me avokatin.
Rezart Kthupi, përfaqësuesi ligjor i Flora Ndrecës, Armando Fezgaj dhe Muhin Mezinit, përsëriti edhe të premten se ndalimi i tyre është i paligjshëm.
Prokuroria kërkon burg për dy nga tre kontrollorët
Në bazë të deklarimeve të personave që kanë dijeni për ngjarjen, por edhe të zbardhjes së komunikimeve mes tyre në ËhatsApp, prokuroria i ka kërkuar gjykatës masën e sigurisë arrest në shtëpi për Flora Ndrecën, ndërsa për Armando Fezgën dhe Muhin Mezinin prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest në burg. Ata akuzohen për shpërdorim detyre.
Sipas Policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë bërë rezervimin e dhomave në hotelin pranë aeroportit, kanë ndikuar te vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë, me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën.
Me veprimet e tyre ata kanë shkaktuar pasoja të rënda në dëm të udhëtarëve dhe personit juridik, Aeroportit të Rinasit.
Gjykata e Tiranës të shtunën në orën 08:30 do të dëgjojë palët dhe do caktojë masat e sigurisë për ta.