Kulturë Zbulohen letrat e dashurisë së Dritëro Agollit

Zbulohen letrat e dashurisë së Dritëro Agollit

“Ty unë vazhdoj të të dua më shumë e më thellë. Bile ngaqë të dua shumë kam filluar të bëhem xheloz…”

Ky është vetëm një pasazh nga dhjetëra letra të shkëmbyera mes poetit të shquar Dritëro Agollit, drejtuar dashurisë së tij, bashkëshortes Sadije Agolli.

Në një tjetër poeti shkruan: Para se të nisem për Korçë po të shkruaj dy radhë. Jam i mbushur me mall për ty.

“I dashtun,

Sa e trishtueme jam sot.

Tashti duhet të kesh arritë në Tiranë, do të jesh duke hangërë dhe ndofta të shkon mendja edhe tek unë. Jam e mërzitun, në këtë çast donja të ishe me ty. Janë shumë 4 muej.

Nji vesh i ketrit më kishte mbetë në xhep të pardesysë. Asht nji ketër i mirë, besnik që nuk të gënjen. Ai më ka pa gjithmonë mue kur jam kthye prej shkolle, veçse asht i heshtun dhe nuk ka gojë që t’u përgjigjet pyetjeve tueja. Duket nji çikë si serioz se ka nji palë mustaqe të ashpra si burrat xhelozë por nuk asht i tillë.  Ai të don ty dhe mbramë ma tha. Unë e kuptoj atë.

Kur të bahesh xheloz, shikoje atë se të ikë xhelozija.

…..Të puth fort, Sadija!”

Këto fjalë janë pjesë e një letre dashurie që Sadija i dërgonte Dritëro Agollit më 8 mars 1965.

Letërkëmbimet origjinale i janë vënë në dispozicion “Shtëpisë Muze Dritëro” nga familja Agolli, duke e rrëfyer poetin në një rrafsh më personal.

Letërkëmbimet intensive mes Dritëroit dhe Sadijes janë të ruajtura me fanatizëm në arkivin e familjes dhe ‘zbulohen’ para syve të publikut krahas objekteve që përshkruhen në këto letra: një mangall, gramafoni, dy portrete me autore Lume Blloshmin dhe zëri i Dritëroit në sfond që lexon poezitë e tij.

Ekspozita “Letra Dashurie” do të qëndrojë e hapur për publikun gjatë gjithë muajit Shkurt, i njohur si muaji i dashurisë.