Aktualitet Zbulohet bazë armatimi në Vlorë: Sekuestrohen snajpera, pistoleta, silenciatorë, tritol plastik

Zbulohet bazë armatimi në Vlorë: Sekuestrohen snajpera, pistoleta, silenciatorë, tritol plastik

Një bazë armatimi është zbuluar në Vlorë gjatë një operacioni të finalizuar sot nga policia në qytetin bregdetar.

Një person me iniciale L.D. është arrestuar nga uniformat blu gjatë këtij operacioni, i cili dyshohet të jetë i lidhur me grupe kriminale.

Bëhet fjalë për një sasi të madhe armatimi që është sekuestruar, të tilla si: snajper, pjesë përbërëse arme luftarake, pistoletë Zastava 10 mm me dy krëhëra, pistoletë dhe 40 fishekë 5.6mm, armë e kalibrit 12 mm, mina me celular, 7 kallëpe lëndë eksplozivi plastik, silenciatorë, 4 dylbi optike, 2 palë dylbi optike vëzhgimi, kuti plastike me 200 fishekë 9 mm, radiomarrëse me valët e Drejtorisë së Policisë Vlorë, targa makinash, çelësa makinash, maska, fenelina, veshje të ndryshme.

Drejtori i Policisë së Vlorës bëri me dije se këto armë do t’i nënshtrohen ekspertizës për të zbuluar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.

Por u rezervua për të dhënë më shumë detaje për shkak se ngjarja është nën hetim. Dyshohet se i arrestuari dhe një pjesë e armëve të sekuestruara mund të kenë lidhje dhe të jenë përdorur në dy ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë kohët e fundit.