Zbardhet emri i kandidatit të parë për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. I pari që ka kandiduar për të qenë drejtuesi i të ashtuquajturës FBI-ja shqiptare është Adnand Xholi.
Xholi aktualisht mban postin e drejtorit të hetimit gjyqësor në Prokurorinë e Përgjithshme dhe pritet t’i bashkohet ‘skuadrës’ së Byrosë Kombëtare të Hetimit. Xholi ka qenë ndër të parët që i është nënshtruar procesit të Vettingut, duke i kaluar të dyja fazat e tij.
Pas ngritjes së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janari 2020 pritet të bëj funksionale edhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Report Tv ka mësuar nga burime pranë SPAK se një ndër emrat që pritet të drejtojë strukturën e ngjashme me FBI është Adnand Xholi.
Kreu i BKH zgjidhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas propozimit të kreut të SPAK dhe dy prej prokurorëve më me eksperiencë në këtë strukturë.
Por çfarë është BKH?
BKH është një institucion i cili do të ndihmojë SPAK në hetimin e rasteve të korrupsionit në nivele të larta. Ngritja e BKH pritet të bëhet brenda muajit janar të viti që vjen dhe do të funksionojë njëkohësisht me SPAK.
Fillimisht BKH u krahasua me FBI amerikane, ndaj dhe ambasada amerikane ka njoftuar se oficerët shqiptarë po trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia.
Janë 60 vetë që tashmë prej muajsh kanë marrë të gjithë eksperiencën e nevojshme për praktikat më të mira perëndimore dhe do të kenë në dispozicion pajisjet me moderne të hetimit.
Vetë oficerët do t’i nënshtrohen makinës së të vërtetës. Pak më parë kjo pajisje u publikua pas një takimi që zyrtarë të ambasadës amerikane patën me ata shqiptarë. Drejtorit dhe anëtarëve të BKH-së do t’u monitorohen llogaritë bankare për tu siguruar që kryejnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.
Ligji mbi SPAK-un po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjet e hetuesve të BKH, drejtori i së cilës do të zgjidhet nga tre anëtarët e prokurorisë së posaçme.
Në duart e prokurorëve të posaçëm do të dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar. Prokurorët e SPAK mund të hetojnë që nga Presidenti, Kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësitë Qeverisë ose jo.