Aktualitet Zbulohet roli i të arrestuarve në grabitjen e Rinasit

Zbulohet roli i të arrestuarve në grabitjen e Rinasit

Këqyrja e dhjetëra kamerave të sigurisë në rrugën që ka përshkuar furgoni me mbishkrimin Hetimi Tatimor, si dhe mbajtja nën vëzhgim e familjarëve të personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në super-grabitjen e Rinasit, çuan në gjurmët e 4 prej bashkëpunëtorëve të Admir Muratajt.

Me urdhër të prokurorisë, policia vuri në pranga 4 persona, njëri prej të cilëve dyshohet të ketë marrë pjesë në grabitje, duke larguar nga vendngjarja autorët.

Të arrestuarit u kapën në Elbasan, ku u zbulua edhe servisi që bëri modifikimin e furgonit me mbishkrimin Hetimi Tatimor.

Në pranga ranë Saimir Çela, Renaldo Sula e Alkond Bengasi, të tre nga Elbasani, si dhe Oltian Veseli nga Kruja.

Ky i fundit sipas burimeve, dyshohet të jetë edhe personi që ka larguar me makinë 4 grabitësit e tjerë që mundën të shpëtonin pas shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Dy prej të arrestuarve ishin punësuar në servisin e makinave, i marrë me qera 6 muaj më parë në emër të Eldi Çalës, vëllai i Klement Çalës, ky i fundit si i dyshuar si pjese e grupit qe kreu grabitjen.

Por, ndonëse hetuesit kane tentuar disa herë të sigurojnë dëshmitë e tyre, asnjëri prej të arrestuarve nuk ka pranuar të ketë gisht në modifikimin e furgonit. Prokurorët kanë marrë në pyetje edhe pronarin e servisit, Gentian Sharrën. Ai ka pohuar se e kishte dhënë me qira tek Eldi Çala dhe se nuk kishte dijeni për aktivitetin e tyre.

Në 24 orët e fundit, policia ka shoqëruar më shumë se 20 persona nga Elbasani, Tirana e Fushë-Kruja të cilët janë marrë në pyetje. Po ashtu, në kërkim janë shpallur edhe disa persona të tjerë që kanë bashkëpunuar në grabitje me role të ndryshme, mes të cilëve edhe vëllai i Klement Çalës.