Bota Zelensky thirrje qytetarëve nga e gjithë bota: Dilni në sheshe dhe na...

Zelensky thirrje qytetarëve nga e gjithë bota: Dilni në sheshe dhe na mbështesni

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, një hero tashmë i rezistencës, ka bërë një thirrje drejtuar banorëve të gjithë botës që të dalin në sheshet kryesore të vendeve të tyre dhe të protestojnë kundër pushtimit rus.

Gjatë natës së kaluar ai ka dhënë fjalimin e tij të radhës dhe për herë të parë ishte në anglisht.

Ai tha se lufta e Rusisë nuk është vetëm kundër Ukrainës, por ndaj lirisë së njerëzve dhe bota duhet të ndalojë Rusinë.

“Dilni nga zyrat, shtëpitë, shkollat dhe universitetet. Dilni në emër të paqes, dilni me simbolet ukrainase për të mbështetur Ukrainën, për të mbështetur lirinë, për të mbështetur jetën”, tha presidenti.

Ky fjalim i Zelensky-t vjen vetëm disa orë përpara se të mbahet një mbledhje e NATO-s ku forcat perëndimore pritet që të rrisin forcat ushtarake në Europën qendrore dhe lindore për të forcuar mbrojtjen e bllokut.

Në mbledhje do të marrë pjesë edhe Joe Biden.