Politika Zgjedhjet e 14 majit, ODIHR evidenton dy rastet e dhunës, çfarë shkruan...

Zgjedhjet e 14 majit, ODIHR evidenton dy rastet e dhunës, çfarë shkruan për rritjen e pagave

Misioni i ODIHR në Tiranë, i kryesuar nga ambasadorja Audrey Glover, ka publikuar të premten raportin e ndërmjetëm për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Në vëzhgimin e bërë më 6 deri në 22 prill, misioni ngre një sërë çështjesh, si dy raste të dhunës gjatë fushatës zgjedhore, polarizimin e mjedisit politik, mungesën fokusit te platformat apo programet nga ana e kandidatëve si dhe premtimet e bëra nga kryeministri Rama për rritje të pagave.

ODIHR vëren se që nga nisja më 14 prill, fushata ka vijuar pa shumë zhurmë dhe me tone të moderuara.

“MVZ-ja e ODIHR-it është në dijeni të dy rasteve të dhunës, në njërën prej të cilave u rrezikua jeta e një anëtari partie,” thuhet në raport për rastin e kryetarit të Partisë Demokratike të Vaut të Dejës, Benard Ndreca, të cilit iu vendos tritol në automjet. Për fat të mirë, të lënduar nuk pati.

Shqetësime janë identifikuar nga misioni për iniciativat e fundit të ndërmarra nga qeveria, siç është bonusi i pensionistëve dhe premtimet e kryeministrit lidhur me pagat e punonjësve të sektorit publik.

Megjithatë, në raport shtohet më tej se pas shprehjes së shqetësimit të disa palëve rreth premtimeve për rritje pagash, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u shpreh publikisht se sipas interpretimit të tij, dispozita përkatëse në Kodin Zgjedhor ishte e zbatueshme vetëm për zgjedhjet parlamentare.

Duke u ndalur te kandidatët, në raport konstatohet se fushata është fokusuar kryesisht në personalitete dhe jo në platforma politike, “ku zgjedhjet e këshillave kanë kaluar në plan të dytë krahasuar me zgjedhjen e kryetarëve të bashkisë.”

Fushata është kryesisht e dukshme në Tiranë, ndërsa shtohet se MVZ-të e ODIHR-it ka vërejtur një prani të konsiderueshme të materialeve të fushatës në terren, përgjithësisht deri më tani ekskluzivisht nga PS.

“Disa garues iu shprehën MVZ-së të ODIHR-it që kishin planifikuar ta bënin fushatën në media sociale, me vizita derë më derë, takime të vogla me zgjedhës, dhe postera të vegjël.”

Sa i përket pasqyrimit të fushatës në media, në raport identifikohen si faktorë kryesorë që prekën profesionistët e mediave, “sulmet mbi gazetarët, retorika diskredituese e politikanëve, dhe vështirësitë për marrjen e informacioneve publike.”