Nëse zgjedhjet vendore të 17 tetorit në Kosovë ishin një test për qeverisjen 8-mujore të Albin Kurtit, votuesit e kanë ngelur në klasë atë. Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, rreth 43 për qind u interpretua si favorizim për Vetëvendosjen, por as kjo nuk e shmangu goditjen e partisë në pushtet, që në zgjedhjet e përgjithshme të muajit shkurt mori rreth 50 për qind të votave bashkë me nismën e Vjosa Osmanit.
Sipas rezultateve të KQZ-së, në 19 komuna janë shënuar fitore të partive politike që në raundin e parë ndërsa, 18 komuna tjera shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 14 nëntor. Rezultati është ende i paqartë në dy komuna. Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit që udhëheq qeverinë, në zgjedhjet e së dielës nuk arriti të fitojë pa balotazh asnjë komunë, por në disa nga to prin në rezultate.
Në bazë të rezultateve paraprake të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, Lista Srpska ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës pesë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dy dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dy. Fitore që në raundin e parë janë shënuar në: Deçan (AAK), Kaçanik (PDK), Mitrovica e Jugut (PDK), Leposaviq (Lista Serbe), Lipjan (LDK), Novobërda (Lista Serbe), Peja (LDK), Shtërpca (Lista Serbe), Suhareka (AAK), Ferizaj (PDK), Zubin Potoku (Lista Serbe), Zveçani (Lista Serbe), Hani i Elezit (PDK), Graçanica (Lista Serbe), Ranillugu (Lista Serbe), Parteshi (Lista Serbe), dhe Mitrovica e Veriut (Lista Serbe), Skenderaj (PDK).
Pra, të gjitha partitë kryesore kanë fituar komuna që në raund të parë, me përjashtim të Vetëvendosjes.
Kjo e fundit shpreson në raundin e dytë.
Sipas rezultatit të raundit të parë, kandidati i Vetëvendosjes për kryeqytetin, Arben Vitia kryeson me mbi 10 për qind të votave në krahasim me kandidatin e LDK-së, Përparim Rama. Kjo duket se i jep një epërsi të ndjeshme Vetëvendosjes që me fitoren e Prishtinës mund të ngushëllohet për rezultatin e dobët në pjesën tjetër të vendit.
Por, edhe këtu gara pas dy javësh ka shumë të panjohura dhe nuk përjashtohet ndonjë surprizë e hidhur për Albin Kurtin. Në Prishtinë fituesi mund të përcaktohet se cilin kandidat do të dalin të mbështesin PDK dhe AAK. Kandidatët e këtyre dy partive kanë marrë në së bashku rreth 25 për qind të votave dhe nëse gjysma e votuesve të tyre do të orientohet drejt kandidatit të LDK-së, rezultati mund të përmbyset.
Edhe në Prizren, Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes duket i favorizuar në balotazh përballë Shaqir Totajt të PDK-së, por edhe këtu orientimi i votës së LDK-së do të përcaktojë fituesin. Në Gjakovë, shpresat e Vetëvendosjes për ta marrë komunën me kandidaten Mimoza Kusari-Lila janë të pakta. Kandidati i AAK-së, Ardian Gjini ka diferencë të madhe votash përballë saj.
Gjithsesi, fituesit do të përcaktohen nga aleancat që do të ngrihen në këto dy javë. Ku pritshmëritë janë që partitë opozitare të mbështesin njëra-tjetrën në komunat ku garojnë. Si shembull, AAK mund të kërkojë mbështetjen e LDK në Gjakovë dhe në këmbim i ofron kësaj të fundit mbështetjen për Prishtinën.
Vota partiake
Natyra e zgjedhjeve vendore nuk përcakton plotësisht mbështetjen që gëzon në elektorat një parti, por ajo mund të merret si një tregues. E si i tillë, këto zgjedhje në Kosovë tregojnë një rënie të madhe të Vetëvendosjes, që sipas të dhënave paraprake nga KQZ ka përgjysmim të votave në krahasim me zgjedhjet e 14 shkurtit, kur mori rreth 440 mijë vota.
Ndërkohë, po në krahasim me rezultatin e shkurtit rritjen më të fortë e ka PDK, që është thuajse trefish. Gjithashtu është rritur edhe LDK dhe AAK.
Këto shifra sugjerojnë se Albin Kurti është humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve, ndërsa fituesi më i madh deri më tani duket Memli Krasniqi, që mori drejtimin e PDK-së pas zgjedhjeve të shkurtit.
Performancë të mirë ka regjistruar edhe LDK me Lumir Abdixhikun, edhe ky i zgjedhur kryetar i kësaj partie pas zgjedhjeve të shkurtit. Pritshmëritë për këtë forcë mund të kenë qenë më të mëdha, por sigurimi i dy komunave dhe balotazhi në 9 të tjera është një rezultat që deri diku mund të interpretohet si pozitiv për të.
Fituese është gjithashtu edhe AAK-ja pragmatiste e Ramush Haradinajt, me dy komuna të fituara në raund të parë dhe në garë në balotazh në pesë komuna të tjera, ku Gjakovën duket se e ka të sigurtë.