Politika Zgjedhjet në Rrogozhinë, Berisha: Farsë elektorale e Veliajt

Zgjedhjet në Rrogozhinë, Berisha: Farsë elektorale e Veliajt

Sali Berisha doli në një deklaratë pas rezultatit të zgjedhjeve në Bashkinë e Rrogozhinës që u fituan nga kandidati socialist, Edison Memolla.

Berisha tha se “institucionet e farsës elektorale” i rrëmbyen mandatin e fituar nga kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.

Berisha u shpreh se pas asaj që e quan farsë elektorale qëndron “terrori i paparë” i ushtruar ndaj qytetarëve. Për këtë akuzoi drejtuesin politik të PS-për për Tiranën, kryebashkiakun Erion Veliaj.

“Në rezultatin e mbrëmshëm qëndron një terror i paparë i ushtruar për një muaj rresht ndaj qytetarëve, ndaj biznesmenëve, ndaj zgjedhësve të Rrogozhinës. Një terror i të gjitha formave, fiskal, fizik, etj. Në farsën elektorale u konstatuan manipulime të hapta, fetëvotimi të përgatitura paraprakisht, fotografim i fletëve të votimit në qendër të votimit, votime në grupe, votime familjare, të gjitha format e shëmtuara. E gjithë kjo farsë u drejtua nga Erion Veliaj”, tha Berisha.

Në fund Berisha bëri publike disa filmime të bëra të dielën, ku sipas tij dëshmojnë se “në krye të bandës që terrorizoi qytetarët e Rrogozhinës” ishin Blendi Gonxhe, Afrim Qendro, Agron Çela, Valdrin Pjetri, Etjen Xhafaj dhe të tjerë eksponentë të Partisë Socialiste.