Kur na ndajnë dy muaj nga data e zgjedhjeve vendore, socialistët duket kanë përcaktuar një pjesë të kandidatëve me të cilët do të kërkojnë votat e shqiptarëve për qeverisjen e bashkive.
Tirana iu besua sërish Erjon Veliajt, sikurse edhe bashkia Fier, ku Armando Subashit do i jepet mbështetja për të kërkuar mandatin e dytë.
Sotiraq Filo në Korçë dhe Dritan Leli në Vlorë duket se gjithashtu kanë bindur në PS dhe votuesve do u kërkohen edhe një herë votat për kryebashkiakët aktualë.
Shkodrën e drejtuar nga demokratja Voltana Ademi, socialistët e kërkojnë me ngulm dhe pritet të kandidojnë atje Valdin Pjetrin, ish-kreun e hipotekave.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Ervin Demo, pritet të kandidohet në Berat dhe deputeti aktual i Gjirokastrës Flamur Golemi në Gjirokastër.
Në Elbasan, pas 12 vjetësh, Edi Rama nuk e kandidon më Qazim Sejdinin duke propozuar në vend të tij prefektin aktual Gledian Llatja, por në pikëpyetje ende mbetet kryebashkiaku tjetër me 3 mandate, Vangjush Dako i Durrësit.
Edhe ky, njësoj si Sejdini, është vënë nën akuzë nga opozita për lidhjet e tij me krimin, por për të nuk është thënë ende fjala e fundit nëse do vihet në betejë për mandatin e katërt.