Pas protestave të vazhdueshme të banorëve të Zharrëzit për dëmet që i ka shkaktuar “Bankers Petroleum” banesave të tyre, qeveria është vënë në lëvizje.
Tre ministritë e përfshira kanë hartuar draftin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për “Marrjen e masave për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tokës në njësinë administrative Zharrëz, njësinë administrative Patos (fshati Dukas), Bashkia Patos dhe njësinë administrative Kuman, Bashkia Roskovec”.
Ky dokument do të miratohet në mbledhjen e radhës që mbahet ditën e mërkurë. Më herët, përmes shkresës nr.7270/6, datë 26.12.2016, Ministri i Energjisë dhe Industrisë urdhëroi Bankers Petroleum “për ndërprerjen e injektimit të ujit teknologjik në puset e lokalizuar përreth fshatit Zharrëz, deri në një njoftim të dytë”.
Vendimet
Mbështetur në nenin 3 dhe 12, të ligjit nr.7746, datë 28.07.1993 “Për hidrokarburet (kërkimprodhim), i ndryshuar si dhe në zbatim të nenit 9.3 të Licensë Marrëveshjes, bazuar dhe në konkluzionet e grupit të punës të ngritur nga Kryeministri, Ministri i Energjisë dhe Industrisë ka firmosur urdhrin nr.1275/1, datë 27.02.2017 ku “urdhëron kompaninë Bankers Petroleum Albania Ltd, të ndalojë operacionet e injektimit të ujit në gëlqeror në zonën e Zharrëzës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit teknologjik pa dëmtuar mjedisin, sipas standardeve ndërkombëtare e në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat negative për komunitetin”.
Në zbatim të Urdhërit nr.178 të dt.27.12.2016 të Kryeministrit “Për vlerësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës në zonën e fshatit Zharrëz dhe për përcaktimin e masave që duhet të merren në varësi të shkaqeve të ndodhjes së fenomenit të lëkundjeve të tokës”, grupi i punës është duke vlerësuar të gjithë faktorët dhe pasojat që lidhen me lëkundjet e tokës në zonën e vendburimit të PatosMarinzës dhe veçanërisht në zonën e fshatit Zharrëz.
Nga komunikimi i vazhdueshëm që kemi pasur për këtë problem me kompaninë Bankers janë evidentuar qëndrime të ndryshme të palëve në Licencë Marrëveshje përkatëse për shkakun e këtyre lëkundjeve dhe pavarësisht përpjekjeve të bëra për zgjidhjen me negocim të këtyre mosmarrëveshjeve, zgjidhja e saj nuk është arritur.
Meqenëse mosmarrëveshja ka të bëjë me çështje teknike, Bankers Petroleum ka dërguar një shkresë nr.1410/3, datë 09.01.2017 ku fton palët të bien bashkërisht dakord për angazhimin e një eksperti teknik që të asistojë palët në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë i ka përcjellë Bankers Petroleum në datën 20.01.2017 propozimet e dërguara nga Instituti i Gjeoshkencës, një listë me pesë institute ndërkombëtare: 1). Royal Netherlands Meteorological Institute (ORFEUS); 2). Instituto Nazionale di Geofisica e Vulcanologia Luigi Improta, Italy; 3). Sëiss Seismological ServiceStefan Ëiemer; 4).German Research Centre for Geosciences/ Torsten Dahm, Ernst Huenges; 5). University of Bergen, Norëay/Lars Ottemoller.
Qeveria shqiptare dhe Bankers Petroleum kanë përzgjedhur me konsensus që eksperti të jetë nga Instituti Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanikës (Instituto Nazionale di Geofisica e Vulcanologia/Luigi Improta). Palët do të përcaktojnë tashmë termat e referencës mbi të cilat do të fillojë punën eksperti i pavarur.