Prokuroria Sarandë, ka reaguar në lidhje me zhdukjen prej disa javësh të shtetasve Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhori, në qytetin bregdetar.
Përmes një komunikate për media, organi i akuzës bën me dije se në lidhje me rastin po vijon puna e prokurorëve me intensitet të lartë.
Prokuroria apelon ndaj mediave që mos të publikojnë informacione të cilat nuk i shërbejnë zbardhjes së të vërtetës.
Gjithashtu, organi i akuzës vlerëson se nuk është as edhe në interesin publik, publikimi i informacioneve të pa verifikuara dhe që nuk janë shpërndarë ligjërisht nga autoritetet kompetente.
“Vlerësojmë se ekspozimi në media apo rrjetet sociale i deduksioneve personale nga cilido që mund të vijë në posedim të informacioneve të ndryshme të marra konfindecialisht nga persona që e përfitojnë informacionin për shkak të detyrës, jo vetëm që cënon rëndë veprimtarinë hetimore por i vendos edhe personat e ndryshëm të përfshirë ose jo në ngjarjen konkrete në situata jo reale dhe të panevojshme në raport me interesin e familjarëve të viktimave nga vepra penale, në raport me interesin publik por edhe në raport me vetë autoritetet hetimore.
Duke e mirëkuptuar interesin e mediave për informimin e publikut, organi i akuzës kërkon angazhimin e tyre për mosekspozimin e informacionit të paverifikuar dhe të panevojshëm me qëllim që ky interes të mos prevalojë mbi interesin e hetimeve të ngjarjes, por as edhe mbi sigurinë publike”, njoftoi prokuroria.
Kujtojmë se familjarët e dy personave të zhdukur në Sarandë, Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhorit mbajtën këtë të martë një protestë përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Me pankarta në duar, me fytyrat e dy personave të zhdukur, ata kërkuan një përgjigje nga policisë në lidhje me fatin e të afërmve të tyre.