Aktualitet Shkodër/ Qiraxhiu vret me armë zjarri pronarin e shtëpisë, Petrit Vuksani

Shkodër/ Qiraxhiu vret me armë zjarri pronarin e shtëpisë, Petrit Vuksani

Petrit Vuksani, 51 vjeç, mbeti i vrarë më armë mesditën e kësaj të marte në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën ku jetonte 51-vjeçari, që ndodhet në lagjen “Tom Kola” të qytetit.

Autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë është Lekë Vuksani. Ai mësohet se kishte qenë me qira në banesën e viktimës. Paraprakisht dyshohet se Lekë Vuksani e vrau 51-vjeçarin pasi ky i fundit i kishte kërkuar t’i lironte shtëpinë. Dyshohet se autori e kundërshtonte këtë dhe këtë të martë zbrazi breshëri automatiku në drejtim të viktimës.

Lekë Vuksani mësohet se është identifikuar falë kamerave të sigurisë të vendosur në banesë dhe zonën përreth. Aktualisht autoritetet policore e kanë shpallur atë në kërkim dhe po punojnë për kapjen e tij.

“Falë reagimit në kohë të Policisë dhe veprimeve të shpejta profesionale hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Petrit Vuksani. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar, shtetasit Lekë Vuksani, i cili dyshohet se ka vrarë me armë zjarri automatik shtetasin Petrit Vuksani. Vijon ndjekja dhe krehja e zonës, me qëllim kapjen e shtetasit Lekë Vuksani“, tha policia e Shkodrës në një njoftim për mediat.

Petrit Vuksani kishte 1 muaj që ishte kthyer nga Britania e Madhe ku jetonte dhe ka kërkuar që t’i lirohet banesa. Ai ishte baba i dy fëmijëve.