Kryesore Zinxhiri i hakmarrjes/ Arrestohet nipi i Prel Markut, i vrarë në Angli...

Zinxhiri i hakmarrjes/ Arrestohet nipi i Prel Markut, i vrarë në Angli nga Hekuran Billa

Policia e Shtetit konfirmoi arrestimin e një prej bashkëpunëtorëve në atentatin ndaj Hekuran Billës në 11 qershor tek “Komuna e Parisit”.

Falë hetimeve të Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me policinë u prangos shtetasi S. M., 22 vjeç, banues në kryeqytet.

Sipas policisë, ky shtetas mbrëmjen e atentatit në 11 qershor, rreth orës 21:50, në rrugën ”Prokop Mima” Tiranë, ka bashkëpunuar në vrasjen me armë zjarri të Hekuran Billës. 22 vjecari i arrestuar është nipi i shtetasit Prel Marku i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga Hekuran Billa.

Më herët për atentatin tek “Komuna e Parisit” është bërë edhe shpallja në kërkim e shtetasit V. Marku, si një nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Në cilësinë e provës materiale për këtë ngjarje të rëndë janë sekuestruar 3 automjete dhe një sërë provash të tjera materiale, me të cilat dokumentohet implikimi i këtij shtetasi në këtë ngjarje.

Hekuran Billa dyshohet se është vrarë për gjakmarrje, pikërisht për shkak të ngjarjes së rëndë në Angli në 2006 kur në një lokal ai vrau Prel Markun atëherë 22 vjeç dhe plagosi tre shqiptarë të tjerë. Pasi u dënua me burgim të përjetshëm në Angli, ai u ekstradua në Shqipëri ku çuditërisht përfitoi ulje dënimi në 25 vjet e më pas la burgun para kohe, po me vendim gjykate.

Për këtë arsye është shpallur në kërkim vëllai i Prel Markut, që dyshohet ta ketë vrarë Billën për të marrë hakun e vëllait të tij.