Bota Zoran Zaev dorëhiqet si kryeministër dhe kryetar i LSDM

Zoran Zaev dorëhiqet si kryeministër dhe kryetar i LSDM

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka dhënë dorëheqjen pas rezultatit zhgënjyes në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Në një konferencë për mediat, Zaev tha se largohej si nga posti i kryeministrit, ashtu edhe si kryetar i LSDM-së.

“I përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së. Do të qëndroj ende këtu për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ka ekziston dhe mund të rritet. Unë si person jam pjesë e LSDM-së dhe mbetem në vijën e parë si anëtar i LSDM-së dhe pjesë e popullit tonë”, tha Zaev.

Pas disfatës së partisë së tij në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 Tetor, Zaev kishte paralajmëruar dorëheqjen nëse partia e tij humbiste zgjedhjet në raundin e dytë, në veçanti në Shkup.

Dorëheqja nuk u shoqërua me shpallje të zgjedhjeve të parakohshme dhe tashmë pritet të ketë negociata për të formuar një qeveri të re po në drejtimin e LSDM-së.

“Mendoj se nuk duhet të ketë zgjedhje të reja. Na presin dy vite të shkëlqyeshme për punë dhe suksese ekonomike. Do ndihmoj gjatë kësaj periudhe që të riorganizohet një Qeveri e re”, tha Zaev.

Analistë dhe përfaqësues të opozitës në RMV e kanë konsideruar dorëheqjen e Zaev si një lëvizje taktike për të mbajtur pushtetin pas humbjes në zgjedhjet lokale.

Gjithsesi kjo situatë pritet të krijojë klimë të paqëndrueshme politike në Maqedoninë e Veriut.

Zoran Zaev erdhi në postin e kryeministrit më 31 Maj të 2017-s pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në  2016. Ai u zgjodh në krye të qeverisë me votat e të gjitha partive politike shqiptare.

Ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE Hristjan Mickoski, shpalli fitoren në zgjedhjet lokale.

“Maqedonia nga sot do të fillojë të ëndërrojë. Të gjithë bashkë për Maqedoninë e së ardhmes. Kjo është dita kur do fillojnë ndryshimet. Ndryshimet për çdo njeri për një jetë më të mirë. Kjo është fitorja e të gjithë qytetareve. Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë dalë të votojnë sot. Falënderoj të gjithë komunitetet pa dallim feje apo bindje. Sot fituam të gjithë bashkë. Falënderoj Alternativën, Aleancën për Shqiptarët dhe të majtën sepse sot hodhëm poshtë të gjitha barrierat. Kjo na tregoi se një opozitë e bashkuar mund të fitojë. Maqedonia pa korrupsion, pa mafie. Shumë shpejt presim zgjedhje të ardhshme parlamentare”, tha Mickoski.