Përfundon me sukses telenovela Moise Kean. Lojtari që kërkohej nga shumë skuadra, pasi shkëlqeu me fanellën e Juventusit gjatë sezonit të kaluar tashmë është zyrtarisht një lojtar i Evertonit. Transferimi i sulmuesit nga bardhezinjtë në kampionatin anglez, nën urdhërat e trajnerit Marco Silva i ka kushtuar klubit nga Goodison Park jo pak, por 30 milionë euro. 27.5 milionë euro do të derdhen në arkën e Zonjës së Vjetër, plus 2.5 milionë euro të tjera në formë bonusesh duke përmbushur kështu shifrën e 30 milionë eurove të kërkuara nga Juventusi për shitjen përfundimtare të futbollistit.
Kean i cili firmosi një kontratë 5-vjeçare deri në qershor të vitit 2024, u shpreh shumë i entuziazmuar për transferimin e tij në Premier League. Ai dekalroi se është i nderuar dhe shumë i lumtur që do të veshë fanellën e Evertonit. Kean tha se nuk e pati aspak të vështirë të firmoste për “Toffees”, pasi ata janë një skuadër ambicioze dhe me të ardhme të madhe. 19-vjeçari në fund u shpreh se do të punojë shumë për t’u përmirësuar dhe për ta ndihmuar skuadrën të arrijë objektivat e vendosura.