Kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama ka paditur për shpifje kryeministrin nw detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj. Dokumenti zyrtar i cili përmban 30 faqe i është dorëzuar këtë të mërkurë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit. Sipas Ramës, Haradinaj ka shpifur për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.
Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në datën 17.10.2019 e 29.10.2019, i Padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës (më poshtë referuar edhe si “i Padituri”gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”, – thuhet në padi.
Në padi thuhet se deklaratat shpifëse kanë pasur për kontekst përgatitjet për procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e që, në parim, siç thuhet në padi, do të duhet të rezultojë në një marrëveshje reciprokisht të detyrueshme për të dyja palët dhe njohje reciproke në mes këtyre dy shteteve.
“Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”, – thuhet më tutje në këtë padi.
Sipas padisë, kryeministri i Kosovës, është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme sipas së cilës “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.
Aty përmenden një numër i madh të deklaratave që Haradinaj vazhdimisht i ka dhënë, e në të cilat e ka apostrofuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Pjesë e këtyre deklaratave është edhe ajo ku Haradinaj, sipas padisë, i referohet edhe aferave korruptive, për ta jetësuar idenë e shkëmbimit të territoreve. Në padi thuhet se ky qëndrim në vazhdimësi i Haradinajt është mbajtur përkundër fakteve që sipas padisë, Rama asnjëherë nuk ka diskutuar për tema të tillë.
“Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk asnjë rol formal e juridiko-politik në marrëveshjen eventuale në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. E kjo për faktin se kjo lloj marrëveshje bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përbën një akt që mund të miratohet vetëm dhe ekskluzivisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës e, për më tepër, kërkon ekskluzivisht miratimin e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës[1], dhe rrjedhimisht 80 vota pro, përfshirë deputetët e koalicionit qeverisës dhe të opozitës, në secilën rrethanë.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë asnjëherë nuk ka mbështetur dhe nuk është deklaruar në mbështetje të një ideje të tillë. Qëndrimi i Paditësit në Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka qenë një dhe i vetëm: ai i mbështetjes së pozicionit të qëndrimeve të Republikës së Kosovës drejt një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme për Republikën e Kosovës dhe Serbisë dhe e cila do të rezultonte në njohje reciproke në mes dy vendeve dhe do të hapte rrugëtimin efektiv drejt integrimeve euro-atlantike”, thuhet ndër të tjera në këtë padi.
Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Gjykatës që përveç kompensimit të dëmit, Haradinaj t’i përgënjeshtrojë deklaratat.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdimisht ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit e Shqipërisë, Edi Rama, si liderët që e kanë nisur idenë dhe kanë punuar në drejtim të realizimit të shkëmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.