Gjatë një takimi me kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit, Jorgan K. Andrews, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
“Do t’ju ofrojmë asistencën tonë gjatë punës tuaj. Jemi të ndërgjegjshëm për presionin me të cilin përballet KLP dhe jemi të vendosur t’ju ofrojmë mbështetjen tonë për mbrojtjen e prokuroreve të SPAK”, tha Andrews. “Keni ngritur një baze ligjore të fortë për institucionet e reja të drejtësisë, e aftë të mbajë larg korrupsionin dhe presionin e politikës mbi këto struktura. Por duhet ndryshuar mentaliteti për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend, sepse tani do të keni instrumentet e duhura”.
Pasi falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen, si një garanci për profesionalizmin dhe integritetin e KLP, Ibrahimi tha se këshilli është shumë pranë zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritjes së SPAK. “Shikojmë hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK me 8 prokurorë të cilët tashmë e kanë kaluar vetting-un dhe dy prokurorë të komanduar nga lista e kandidatëve të kualifikuar për SPAK, të cilët kanë kaluar vetting-un me vendim të formës së prerë”, tha Ibrahimi.