Kryeministri Edi Rama publikoi një listë me këshilla për një kujdes të shtuar nga qytetarët për të minimizuar përhapjen e virusit COVID-19, i cili zyrtarisht ka prekur dy persona në vendin tonë.
10 porosi të dhëna në gjithë botën për reagimin e individit ndaj koronavirusit:
1- Frika nuk ndihmon, kujdesi po.
2- Shmangni sa të jetë e mundur shtrëngimet e duarve.
3- Lajini rregullisht duart jo më pak se 20 sekonda dhe shmangni gjithashtu prekjen e syve, hundës dhe gojës pas kontakteve fizike me të tjerë.
4- Nëse teshtini përdorni një pecetë letre apo vendosni krahun përpara gojës.
5- Kujdesuni për më të moshuarit a të sëmurët kronikë në familjen tuaj, që të kufizojnë kontaktet fizike dhe daljet e panevojshme nga shtëpia (mesatarja moshore e atyre që kanë humbur jetën në Itali, sipas statistikës së fundit, është 81 vjeç).
6- Mbani parasysh që pjesa dërrmuese (mbi 80%) e atyre që preken nga koronavirusi e kalojnë epideminë pa asnjë shenjë ose si një rrufë të zakonshme stinore.
7- Mos u alarmoni nga shenjat gripale dhe mos lëvizni drejt e për në spital apo në qendrën shëndetësore, por telefononi menjëherë urgjencën kombëtare në numrin 127 dhe ndiqni këshillat e marra
8- Nëse vini nga zona e kuqe e Italisë apo zona të tjera të prekura, vetëkarantinohuni në shtëpinë tuaj për 14 ditë, duke shmangur kontaktet me jashtë shtëpisë, pavarësisht se mund të mos keni asnjë shenjë shqetësuese.
9- Bëni shumë kujdes me burimet e informacionit e sidomos me internetin dhe referojuni burimeve zyrtare të autoriteteve të shëndetësisë e këshillave të tyre
10 – Asnjë panik dhe asnjë dyshim se do ta kalojmë edhe këtë sfidë së bashku, duke mos e harruar asnjë çast se nuk jemi përpara fundit të botës, po përpara një virusi të panjohur deri më sot (me shërueshmëri mesatare statistikore në 97% të rasteve)!