Presidenti Donald Trump dhe zyrtarët e tij të lartë të sigurisë kombëtare u mblodhën të dielën në dhomën e emergjencave në Shtëpinë e Bardhë për të parë atë që doli të ishte operacioni ushtarak më i rëndësishëm i presidencës së tij.
Të premten, kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte dhënë urdhrin për të filluar bastisjen dhe për ta kapur të gjallë apo të vdekur themeluesin dhe udhëheqësin e ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi.
Terroristi më i kërkuar në botë i kishte përqeshur amerikanët në një mesazh audio në shtator duke dëshmuar se ai ishte akoma i lirë, gjashtë vjet pasi SHBA filluan ta kërkojnë. Por tani, falë informacioneve të inteligjencës, SHBA-të e eliminuan përgjithmonë.
CIA besohet se e kishte ndjekur Baghdadin me javë të tëra. Ai ishte nën mbikëqyrje dhe lëvizjet e tij po ndiqeshin.
Komandat amerikane që drejtuan operacionin kishin filluar të vendosen në rajon që nga shtatori. Kur Presidenti Barak Obama vendosi të nisë sulmin e vitit 2011 në Pakistan, atë që vrau Osama bin Laden, CIA nuk ishte e sigurt që Bin Ladeni ishte aty. Nëse burri i gjatë në atë kompleks nuk do të ishte Bin Ladeni, do të ishte e vështirë që aksioni të arsyetohej. Nëse pakistanezët do të mbronin territorin e tyre, rreziku do të ishte i qartë: gjaku deri në gju.
Në këtë rast nuk kishte asnjë forcë armiqësore, duke marrë parasysh që Trump kishte marrë udhëzime radarësh edhe nga Turqia dhe Rusia të cilët po kontrollojnë hapësirat ajrore.
Presidenti ishte i bindur që duhej një operacion që sado të ishte i rrezikshëm, të mos vriste amerikanët. Ky ishte shqetësimi i tij më i madh, të cilin e pranoi edhe vet.
Kjo nuk ishte përpjekja e parë për të shuar drejtuesin e ISIS. Dy ose tri tentativa të tjera ishin anuluar, tha Trump, sepse Baghdadi ndryshonte vendndodhjet.
Trump, i cili është komandanti suprem i ushtrisë amerikane, u tha gazetarëve se “kishte një tunel që mund të kishte lejuar arratisjen, por se ushtria e kishte e kishte menduar edhe atë gjë”.
Helikopterët u ngritën në momentet pasi u mblodhën krerët e Shtëpisë së Bardhë. Trump dhe ekipi i tij – përfshirë zv/Presidentin Mike Pence, Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe Gjeneralin Majk Milley, shikuan aksionin ushtarak sikur të kishin shkuar në një kinema.
“Absolutisht perfekt, sikur të ishim duke shikuar një film”, tha Trump.
Aeroplanët amerikanë fluturuan në lartësi të ulët për një orë dhe 10 minuta, ndërsa Turqia po ua mbronte shpinën nga hapësira ajrore.
Siç shpjegoi Trump, tetë helikopterë amerikanë u përballën me të shtëna nga poshtë, por rreziku u neutralizua. Më pas, një numër i madh i “burrave të Baghdadit” u vranë, ndërsa tetë fëmijë janë zhvendosur në zona të sigurta.
I ndjekur nga qentë e operacionit amerikan, Baghdadi kaloi nëpër një tunel pa krye ku edhe e pati përfundimin. “Ai bërtiste dhe qante, dhe në fund vdiq si qen”, tha Trump. Bagdadi, sipas Trump, në ato momente shpërtheu një jelek vetëvrasës, duke i dhënë fund të katër jetëve dhe duke shembur tunelin.
Komandat kaluan dy orë gjithsej në kompleks, duke mbledhur materiale “shumë të ndjeshme”, tha Trump. Për të qenë të sigurt në identitetin e Baghdadit, operatorët kishin një ekip që mori mostrat e ADN-së së tij.
“100 % Jackpot, mbaruam”, thuhej në radiolidhjen e komandës, në momentin kur mbetjet e ADN-së u konfirmuan. Mbetjet e kokës së terrorit më të keq të kohëve të fundit, mbaruan.
Ndonëse SHBA para pak kohësh ka pohuar se e kishte zhdukur organizatën, ajo është ende aktive në Siri dhe Irak.
Frika më e madhe e vendeve të BE-së është se përkrahësit e tyre do të mund të organizonin sulme në qytete të mëdha, një skenar që ka ndodhur në të kaluarën.